Secondary Adv

Himarë, shpallet fituesi i projektit 1.2 mln euro për parkimin nëntokësor dhe godinën e bashkisë

Projekti prej 1.2 milionë euro synon 263 vende parkimi dhe transformimin urban të zonës pranë stadiumit “Petro Ruçi”.

Investim për parkim dhe shërbime administrative

Ndërhyrja në pjesën perëndimore të qytetit të Himarës, pranë stadiumit “Petro Ruçi”, do të realizohet me një investim prej rreth 1.2 milionë euro. Projekti përfshin ndërtimin e një parkimi nëntokësor dhe përmirësimin e infrastrukturës së shërbimeve administrative për Bashkinë e Himarës.

 

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur fituesin për kontratën “Përmirësimi i Infrastrukturës së Parkimit Faza II: Ndërtim i godinës së shërbimeve administrative, Himarë”, që synon të adresojë problematikat e theksuara të parkimit dhe organizimit urban.

 

Fluksi turistik dhe mungesa e hapësirave

Sipas raportit arkitektonik, zona përreth stadiumit aktualisht nuk është e organizuar për të përballuar fluksin e lartë të vizitorëve, veçanërisht gjatë sezonit veror. Mungesa e hapësirave të dedikuara për parkim dhe rekreacion ka krijuar vështirësi në qarkullim dhe ulje të cilësisë së përvojës urbane për banorët dhe turistët.

 

Automjetet që vijnë nga qytete si Tirana, Vlora dhe Saranda shtojnë ndjeshëm ngarkesën në rrugët kryesore, duke e bërë të domosdoshëm zhvillimin e një sistemi më efikas të menaxhimit të parkimit.

 

Parkim nëntokësor dhe hapësira multifunksionale

Projekti parashikon ndërtimin e një parkimi nëntokësor me një kapacitet prej 263 vendesh, i cili do të shtrihet në të gjithë sipërfaqen e fushës ekzistuese të stadiumit. Mbi këtë strukturë do të krijohet një park rekreativ, duke integruar funksione të ndryshme urbane në një hapësirë të vetme.

 

Po ashtu, do të ndërtohet një godinë e re për shërbime administrative me tre kate mbi tokë dhe një kat nëntokësor, si dhe do të rikonstruktohet godina ekzistuese e bashkisë.

 

Riorganizim i plotë i zonës

Koncepti i zhvillimit parashikon ndarjen e zonës në tre hapësira funksionale: godina e bashkisë dhe shërbimeve administrative, një hapësirë ndërmjetëse rekreative që shërben si zonë lidhëse dhe një zonë sportive që do të zhvillohet në faza të mëtejshme.

 

Ndërhyrja përfshin gjithashtu krijimin e hapësirave të gjelbra, përmirësimin e aksesit dhe lidhjes mes zonave, si dhe shtimin e elementëve të mobilimit urban si ndriçimi, stolat dhe pajisjet e tjera publike.

 

Qendër e re urbane për qytetin

Ky projekt synon të krijojë një nyje të re funksionale për qytetin, duke kombinuar administratën lokale me hapësira parkimi, rekreacioni dhe aktivitete sportive. Qëllimi është që Himara të përmirësojë ofertën urbane dhe të bëhet më tërheqëse dhe funksionale si për banorët ashtu edhe për turistët.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat